Fondacioni Kulturor dhe Humanitar “Amaneti”, është organizatë joqeveritare, joprofitabile
e cila merret me organizimin e ndihmave kushtuar rasteve sociale, njerëzve në nevojë, skamnorëve,
të pastrehëve, jetimëve, nxënësve dhe studentëve.
Fondacioni Kulturor dhe Humanitar “Amaneti”, me selinë në Bujanoc, është i licencuar dhe aktivitetin e tij
bamirës e shtrinë në Bujanoc, Preshevë dhe Medvegjë, si dhe në diasporë.
Qëllimi i këtij Fondacioni Kulturor dhe Humanitar me emrin simbolik “Amaneti”, është që të vazhdohet në
mënyrë profesionale tradita jonë e njohur për bamirësi, solidaritet, humanitet për njerëzit nevojtarë,
të cilët kanë nevojë për ndihmën tonë dhe se ne e kemi amanet nga të parët tanë të përmendur
për bujari e fisnikëri.
Bamirësia nuk të varfëron!
Fondacioni Kulturor dhe Humanitar “Amaneti”, po gjen gjithnjë mbështetje nga afaristët tanë, biznesmenët,
institucionet komunale, ambasadat, diaspora dhe njerëzit e vullnetit të mirë.
Fondacioni Kulturor dhe Humanitar “Amaneti”, bamirësinë e llogarit si bujari, mirësi e fisnikëri,
e kurrsesi si lëmoshë për të varfërit dhe të pastrehët.
Bamirësia ndaj njerëzve është njëra prej rrugëve të gjera të lumturisë.
Në një hadith autentik kudsij i Dërguari (paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të),
me fjalët e transmetuara nga Allahu i Lartësuar, thotë:
“Allahu në Ditën e Gjykimit do të thotë: 'O njeri, kërkova të më ushqesh, por ti nuk më ushqeve.
'Zoti im, si mund të ushqej kur Ti je Zoti i botëve?' 'Filan fistek robi im të kërkoi ta ushqesh, por ti nuk e
ushqeve. Po ta ushqeje, do ta gjeje këtë te Unë.' ‘O njeri, të kërkova të më shuash etjen, por ti nuk ma shove.’
'Zoti im, si mund ta shuaj etjen kur Ti je Zot i botëve?' 'Filan fistek robi Im kërkoi t’ia shuash etjen, por ti nuk
ia shove. Sikur do ta t’ia shuaje, do ta gjeje këtë te Unë.' 'O biri i Ademit, u sëmura, por ti nuk më vizitove.’
‘Zoti im, si mund të vizitoj Ty kur Ti je Zoti i botëve?' 'Filan fistek robi Im ishte sëmurë, por ti nuk e vizitove.
Sikur ta vizitoje, do të më gjeje Mua tek ai.”